Transmetuesit kombëtarë e shqyrtojnë pjesëmarrjen e Izraelit në Eurovision mes kërcënimeve për bojkot

0
10

Organizatorët e garës vjetore të këngës, Eurovision, do të mblidhen sot për të biseduar dhe mbase për të votuar nëse Izraeli mund të marrë pjesë vitin e ardhshëm, pasi disa vende kanë kërcënuar se do të tërhiqen nëse ai nuk përjashtohet për shkak të luftës në Rripin e Gazës.

Në takimin në selinë e Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) në Gjenevë do të shqyrtohen rregulla të reja, synimi i të cila është t’i dekurajojnë qeveritë dhe palët e treta nga promovimi i tepruar i këngëve për të ndikuar te votuesit, pas akuzave se Izraeli e ka fryrë padrejtësisht këngën e tij pjesëmarrëse këtë vit.

Izraeli – i cili doli i dyti në garën e vitit 2025 – nuk u është përgjigjur këtyre akuzave, por shpesh argumenton se është përballur me një fushatë shpifjesh globale.

Festivali po përballet me një “moment vendimtar”, tha eksperti i Eurovisionit, Paul Jordan.

Transmetues kombëtarë nga Sllovenia, Irlanda, Spanja dhe Holanda kanë kërcënuar se do ta bojkotojnë festivalin, i cili mbahet në maj të vitit 2026 në Austri, nëse Izraeli lejohet të marrë pjesë.

Kundërshtarët e pjesëmarrjes së Izraelit përmendin shqetësimet për numrin e palestinezë të vrarëve në Gazë, që ka tejkaluar shifrën prej 70.000, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.

Lufta në Gazë u shkaktua nga sulmi i 7 tetorit 2023 nga grupi militant palestinez Hamas në Izrael, ku u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 251 të tjerë. Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera.

Nëse anëtarët nuk bindën se rregullat e reja – të cilat synojnë ta mbrojnë neutralitetin dhe paanshmërinë e garës – janë të mjaftueshme, atëherë do të ketë votim për pjesëmarrjen e Izraelit, tha EBU-ja.

Ministri i Shtetit për Kulturën, Wolfram Weimer, i tha Reutersit se Gjermania nuk duhet të marrë pjesë në Eurovision nëse Izraeli përjashtohet.

“Izraeli e ka vendin në Festivalin Evropian të Këngës (ESC)”, tha ai.

“Nuk duhet të ketë ESC pa Izraelin”, shtoi ai.

Transmetuesi gjerman ARD nuk ka komentuar, ndërsa transmetuesi austriak, ORF, dëshiron që Izraeli të marrë pjesë.

Transmetuesi publik izraelit KAN tha se po përgatitet për garën e vitit të ardhshëm dhe se së shpejti do t’i publikojë ndryshimet në procesin e përzgjedhjes së këngës që do ta përfaqësojë Izraelin.

KAN tha se do të paraqesë qëndrimin e tij në rast të përjashtimit të mundshëm në takim.

Eurovision është garë në të cilën këngëtarë nga vende të ndryshme të Evropës, dhe disa përtej saj, garojnë nën flamurin kombëtar me synimin për t’u shpallur kampionë të kontinentit, një lloj Olimpiade e muzikës pop.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here