Qeveria e re e mandatit të tretë qeverisës të Partisë Socialiste, 2021-2025, e shpallur të enjten ,(02.09) nga kryeministri, Edi Rama mund të cilësohet si qeveri e vazhdimësisë dhe e rikthimit të figurave politike të PS në pushtetin ekzekutiv. Në shtatë ministri janë rikonfirmuar të njëjtët ministra: Ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të vazhdojë të jetë Bledi Çuci, në Ministrinë e Mbrojtjes Niko Peleshi, në Ministrinë e Jashtme, Olta Xhacka, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në Ministrinë e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në Ministrinë e Arsimit, Elvis Kushi, në Ministrinë e Kulturës, Elva Margariti.
Ministrat kanë ndryshuar në Ministrinë e Drejtësisë, të Financave, Bujqësisë, Turizmit dhe Mjedisit. Ministër Drejtësie në qeverinë e re do të jetë deputeti socialist, Ulsi Manja, në Ministrinë e Bujqësisë, Frida Krifca, në Ministrinë e Financave, Delina Ibrahimaj, në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit deputetja socialiste, Mirela Kumbaro.
Në qeverinë e re Rama 3 janë shtuar tre ministra shteti: Elisa Spiropali rikonfirmohet si ministre shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Edona Bilali, ministre shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Bora Muzhiqi, ministre shteti për Rininë dhe Rëmijët, Milva Ekonomi, ministre shteti për Standardet dhe Shërbimet.Zëvendës kryeministër do të jetë Arben Ahmetaj, që zëvendëson Erion Bracen, që para disa ditësh dha dorëheqjen. Kryetare e Parlamentit do të jetë deputetja socialiste Lindita Nikolla, ish- Ministre e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve.